Përfundon rinumërimi për bashkinë Kuçovë, Kreshnik Hajdarit i hiqen 9 vota, por sërish shpallet fitues
Në Kolegjin Zgjedhor ka përfunduar rinumërimi për bashkinë Kuçovë.
Rinumërimi i 18 kutive nuk ka sjellë ndryshim të rezultatit; kandidati i PS, Kreshnik Hajdari rezulton sërish fitues përballë kandidatit të Bashkë Fitojmë Lefter Maliqi.
Vendimi për rinumërim erdhi pas ankesës së koalicionit Bashkë Fitojmë dhe kandidatit Lefter Maliqi.
PS nga 6910 vota në 6901 vota
BF nga 6228 vota në 6224 vota
Një javë pas seancës dëgjimore, Kolegji Zgjedhor bëri këtë të premte rinumërimin e votave në 18 qendra votimi në Bashkinë Kuçovë.
Hapja e 18 kutive të Kuçovës nisi në orën 9:00 dhe sipas vendimit të gjykatës, ajo u bë në ambientet e KQZ.
Në seancën e kaluar kandidati humbës në Kuçovë, Lefter Maliqi, pretendoi një sërë parregullsish në procesin zgjedhor të 14 majit në Kuçovë.
Sipas tij, 18 kutitë që do të rinumërohen kanë qenë jashtë këndit të shikimit të kamerës vëzhguese të KQZ në KZAZ-në e Kuçovës.
Rinumërimi i 18 kutive të Kuçovës ka shkaktar dhe momente tensioni mes numëruesve dhe stafit të Kreshnik Hajdarit dhe Lefter Maliqit.
