Plan Kombëtar mbështetur nga UNDP për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore

UNDP Albania i bashkohet partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbi Menaxhimin e Riskut nga Fatkeqësitë dhe Mbrojtjes Civile në Shqipëri.

Enkelejd Joti, zëvendësministër i Mbrojtjes vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të rritur gadishmërinë ndaj fatkeqësive në Shqipëri dhe për të ndërtuar sisteme më të qëndrueshme.

Folës në këtë aktivitet ishin partnerë që mbështesin Shqipërinë në përballimin e sfidave Petra Burcher, zëvendësshefe e Misionit/shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim në Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), Stefania Vizzaccaro, drejtore e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS) në Ballkanin Perëndimor, Monica Merino, Përfaqësuese e Përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri (UNDP) dhe Denny Robertson, drejtor në detyrë i Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar USAID/Albania.

Kjo tryezë është shumë e rëndësishme për hapat që do të ndërmerren më tej për zbatimin e dokumenteve strategjike si Vlerësimi Kombëtar i Riskut dhe Strategjia Kombëtare e ZRRF-së së bashku me Planin e Veprimit të saj, dokumente themelore për mbrojtjen civile në Shqipëri. Puna ndërkohë vijon për hartimin e Planit Kombëtar të Emergjencave Civile, mbështetur nga projekti i UNDP-së.

UNDP dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë shprehën gadishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet të gjithë aktorëve. Ky partneritet bashkëpunimi është në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të përmbushur standardet më të larta si një anëtare e plotë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe objektivat e përcaktuara nga kuadri Sendai.

Tryeza e sotme mbështetet nga projekti i UNDP RESEAL, i cili financohet nga qeveria Suedeze dhe ajo Portugeze dhe po mbështet qeverinë shqiptare në forcimin e të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile në nivel kombëtar dhe vendor përmes bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.