Përfundon projekti 5-vjeçar “ORKA": 128 urdhërarreste dhe 2.8 tonë kokainë e kapur

Përfundon projekti 5-vjeçar “ORKA”, i realizuar nga Policia Shqiptare, me mbështetjen e Policisë Gjermane në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar në fushën e narkotikëve.

Në njoftimin publikuar nga Policia sot bëhet me dije se, “gjatë zhvillimit të këtij projekti janë ndjekur 42 procedime penale për shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, janë lëshuar 128 urdhërarreste, janë vënë në hetim 328 shtetas, si dhe janë sekuestruar 2.8 tonë kokainë, 20 kg heroinë, 781 kg cannabis sativa dhe 32 armë zjarri”.

Policia njofton se në kuadër të mbylljes së këtij projekti, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, drejtues dhe përfaqësues të projektit “ORKA”, si dhe oficerin ndërlidhës të BKA-së gjermane në Shqipëri, i cili e ka asistuar Policinë e Shtetit, që prej vitit 2018.

“Projekti “ORKA” erdhi si rezultat i bashkëpunimit solid të Policisë së Shtetit dhe Policisë Gjermane, dhe pati si objektiva hetimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve, gjurmimin e pasurive të pjesëtarëve të tyre, si dhe ndërhyrjen për të dobësuar deri në eliminim, organizimin mbi të cilin ata funksionojnë”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Sipas njoftimit, në kuadër të përmbylljes së këtij projekti, ekspertëve të njësisë “ORKA”, me drejtues drejtorin e Drejtorisë Hetimore në DPPSH, Drejtues i Parë Edmond Rizaj, iu akorduan certifikata, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin, angazhimin dhe profesionalizmin e dedikuar gjatë gjithë zhvillimit të projektit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit e siguroi ambasadorin dhe delegacionin e BKA-së gjermane, se Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar dhe tejet e hapur për çdo bashkëpunim në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkët.