Bujqësia e orientuar drejt certifikimit, INSTAT: U rrit në 445 ton prodhimi i ullishtave organike

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po mbështet orientimin e bujqësisë drejt certifikimit organik, si patenta që garanton eksportet shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare.

Bujqësia organike në vendin tonë dominohet nga bimët aromatike dhe mjekësore që rriten në gjendje të egër me rreth 65 % dhe pastaj pjesa tjetër nga ullishtet dhe vreshtat organike të certifikuara tashmë. Ndërsa trend në rritje po merr edhe prodhimi organik në serra.

Gjatë vitit 2022, spikat prodhimi i ullishtave organike të certifikuara, që shënoi rritje të konsiderueshme në vendin tonë.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2022 u prodhuan 445 mijë tonë ullinj. Krahasuar me një vit më parë, ky prodhim u rrit me 218 %.

Mbështetja buxhetore për këtë kulturë, me subvencione, naftë pa taksa dhe kushtet klimatike, zgjeruan prodhimin e ullirit organik, me shtrirje gjeografike në të gjithë vendin.

Për zhvillimin e këtij sektori kaq jetik për ekonominë tonë, MBZHR e ka përfshirë ullirin dhe prodhimin e vajit të ullirit të mbështetet edhe nga Programi IPARD III që pritet të nisë së shpejti.

Prodhimi i vajit të ullirit shënoi mbi 25 mijë tonë vitin e kaluar dhe programi qeverisë për zhvillimin e ullirit, synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj të certifikuar dhe rritjen e prodhimit të vajit “Made in Albania”.

Krahas këtij misioni MBZHR për herë të parë po punon në krijimin dhe mbajtjen e një regjistri për ullirin. Kadastra do t’i shërbejë më pas hartimit të politikave për zhvillimin e sektorit të ullirit dhe vajit të ullirit.

Aktualisht sipërfaqja e ullishtave vlerësohet të jetë rreth 50 mijë hektarë, numri i rrënjëve të ullirit parashikohet në rreth 9 milionë dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit për vaj, mbi 170.

MBZHR shprehet se, sistemi i një informacioni digjital për regjistrin e ullirit do të identifikojë gjendjen aktuale të ullishtarisë dhe perspektivën e zhvillimit të saj.