Pentagoni: Balona kineze nuk grumbulloi asnjë informacion

Balona kineze që u rrëzua nga ushtria amerikane mbi ujërat territoriale të SHBA-së, në fillim të shkurtit, nuk po mblidhte informacione spiunazhi, sipas Pentagonit.

”Siç e dëgjuat në atë kohë, ne e dinim se balona kishte aftësi për të mbledhur informacione”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder në një konferencë shtypi.

Ai vazhdoi duke thënë se ”Uashingtoni kishte gjithashtu zbutur përpjekjet e mundshme të spiunazhit në atë balonë”, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit u acaruan kur ushtria amerikane zbuloi atë që zyrtarët amerikanë në atë kohë dyshonin se ishte një balonë spiune kineze në hapësirën ajrore të vendit.

Forcat Ajrore të SHBA-së rrëzuan balonën më 4 shkurt në brigjet e shtetit të Karolinës së Jugut, pasi ajo fluturoi mbi kontinentin amerikan për ditë të tëra.