Pistorius: Është shumë herët për të ditur se sa të thella janë çarjet e Kremlinit
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se kryengritja e ushtrisë mercenare ”Wagner”, fundjavën e kaluar, është një shenjë e çarjeve në aparatin e pushtetit të presidentit rus, Vladimir Putin.
“Unë nuk mendoj se ju duhet të jeni ekspert për Rusinë për të kuptuar se një situatë që mund të shpërthejë në një masë të tillë në një kohë kaq të shkurtër është një sinjal i qartë (…) se gjërat kanë shkuar keq atje dhe se ka çarje”, deklaroi Pistorius në Pentagon, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në SHBA si ministër i Mbrojtjes.
Ai shtoi se ”ende nuk është e mundur të vlerësohet se sa të thella janë këto çarje dhe pasojat që do të kishin për Rusinë, stabilitetin e brendshëm të vendit dhe presidentin rus Vladimir Putin”.
Pistorius i bëri komentet pas takimit me homologun e tij të SHBA-së, sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.
Bisedimet u fokusuan në situatën në Ukrainë dhe se si situata e brendshme politike në Rusi mund të ndikojë në luftë.
Austin falënderoi Pistorius për “mbështetjen e rëndësishme për Ukrainën dhe për mbështetjen gjermane në forcimin e krahut lindor të NATO-s”.
Pistorius njoftoi se Gjermania do të dërgonte rreth 4 000 trupa të Bundeswehr-it në Lituani.



