Tensionet në Veriun e Kosovës, Bumçi: Serbia nuk kritikohet, por tolerohet. Vuçiç lavde Millosheviçit

Ish-deputeti dhe ish-ministri demokrat Aldo Bumçi në një intervistë për “Ora Neës” dhënë moderatores Beti Njuma komentoi situatën e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne shikojmë që ka një ndryshim të qëndrimit të partnerëve të cilët kanë lëvizur më pranë Serbisë.

Ajo nuk kritikohet, por tolerohet. Dhe këtë po e bëjnë për ta shkëputur atë nga Rusia, pra qëllimi është i mirë.

Por çfarë po ndodh? Serbia nuk ka ndryshuar nga qëndrimi i saj, nuk ka bërë asnjë ndryshim, nuk është më e mirë apo më Evropiane.

Është po e njëjta Serbi me rrëmujën që krijon në Bosnje, Mal të Zi dhe në Kosovë.

Dhe Vuçiç në vitin 2018 tha se Millosheviçi ka qenë një lider i madh. Por çfarë duhet të bëjmë ne në këtë rast?

Që ne duhet të lëvizim më pranë partnerëve dhe në drejtim edhe të Perëndimit.

Por kjo nuk do të thotë që partnerëve duhet t’u tërheqim dhe kritika brenda partneritetit dhe pa e vënë në dyshim atë.

Çdo gjë negociohet. Pra ne duhet të qëndrojmë brenda partneritetit, por kjo për faktin se kemi parë një ndryshim të qëndrimit”, theksoi Bumçi.

Ish-ligjvënësi demokrat komentoi dhe punën e bërë nga ana e ambasadores në ikje të SHBA-ve Yuri Kim në vendin tonë.

“Unë mendoj që në vendin më pro-amerikan të Evropës dhe Botës, kemi një sistem drejtësie që ka rënë dhe me një korrupsion galopant dhe kemi një kryeministër që thotë se fajin e ka opozita.

E vetmja gjë që duhet të dimë sot si qytetarë të Shqipërisë është jemi më mirë apo më keq”, tha Aldo Bumçi.