Foltorja injoron Bashën, deputetët e kampit opozitar kundër rikthimit të Bashës: Humbje kohe!

Fill pas kandidaturës së Lulzim Bashës për tu rikthyer si lider i Partisë Demokratike, deputetët e vulës kanë zgjedhur heshtjen. Nga ana tjetër deputetët mbështetës të Sali Berishës, nuk i kursyen komentet për ish-kryetarin.

Në selinë blu ku drejton Sali Berisha, Lulzim Bashën e shohin vetëm si pjesë e të shkuarës.

“I ka mbuluar historinë Lulzim Basha.”

Lindita Metaliaj, është një prej deputetëve demokratë për të cilët ka vetëm një kryetar.

“Kryetar i PD-së është vetëm Sali Berisha, është zgjedhja e anëtarësisë së partisë. Është përtej çdo kujt kjo gjë.”

Për deputetët e tjerë kjo situatë do ta thellojë dhe më shumë përçarjen e partisë më të madhe opozitare.

“Është një humbje kohe për demokratët, duke u rikthyer te një lidership që ka dështuar sepse jemi ndarë në 3 kampe. Rikthimi i Bashës nuk është asgjë më tepër se një humbje kohe.”

Lulzim Basha zyrtarizoi kandidaturën për të rimarrë drejtimin e partisë demokratike, post nga i cili dha dorëheqjen në mars të vitit 2022 pas gati 9 viteve në opozitë.