Vuçiç nuk pranon takim me Kurtin: Dialogu inekzistent, me të nuk mund të flitet
Aleksandër Vuçiç, ka rezuar një takim të mundshëm me Albin Kurtin të ndërmjetësuar nga BE Presidenti serb tha se me Kurtin nuk mund të bisedohet, ndërkohë që Kurti ende nuk ka kthyer një përgjigje për takimin e thirrur nga Bashkimi Europian në Bruksel.
Presidenti i Serbisë Alesandër Vuçiç, ka refuzuar takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të thirrur nga Bashkimi Europian.
Në një deklaratë për media të dielën Vuçiç tha se takimi është i pakuptimtë, ndërsa tha se me Albin Kurtin nuk mund të bisedohet.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë. Dialogu me Kurtin është inekzistent. Ai do luftë, do luftë me çdo çmim. Mendon se si dhe në çfarë mënyre do të bëjë provokim. Dhe ai e ka përkrahjen, gënjejnë kur thonë se nuk ka. Mjaft me këtë," tha ai.
Vuçiç saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.
Ndërkohë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti më herët ka thënë se do të vendos për pjesëmarrjen në takim në fillim të javës.
Të dielën kurti tha se se autoritetet e Kosovës janë duke bërë çdo gjë për t’i liruar tre policët kosovarë që u kidnapuan nga forcat serbe në Leposaviq më 14 qershor.
“Jemi duke bërë gjithçka që ata të lirohen sa më shpejt, të pacenuar. Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori ynë Jetish Jashari, që përndryshe është shef i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, do të arrijë t’i vizitojë tre policët tanë,” tha ai.
Të dielën reagoi edhe NATO ku përmes zëdhënëses Oana Lungescu, Aleanca tha se KFOR, merr “shumë seriozisht” ngjarjet në veri të Kosovës.
“Zbatimi i mandatit të tij nga KFOR është i palëkundur, siç dëshmohet edhe me dislokimin e 500 trupave shtesë. Ne edhe një herë ua kujtojmë të gjitha palëve obligimet e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurave për Policinë e Kosovës dhe marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri," tha ai.

