Mediat serbe: Serbët në Kosovë planifikojnë ta formojnë vetë Asociacionin, kanë përcaktuar selinë dhe kryetarin

Në kulmin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe disa ditë pas një takimi të planifikuar në Bruksel mes Aleksandër Vuçiç, dhe Albin Kurtit, mediat në Beograd thonë se Serbët në Kosovë po planifikojnë vetë krijimin e Asociacionit.

“Blick”media pranë Vuçiçit, ishte e para e cila publikoi lajmin si ekskluziv, madje duke treguar me detaje si do të duket acociacioni.

Dragisha Miloviq, mjek dhe ish-kryetar i komunës së Zveçanit, do të propozohet si kryetar i parë i asociacionit.

Miloviq është një politikan i njohur serb në Kosovë dhe në shumë raste në protestat e organizuara ai ka qëndruar në rrjesht të parë.

Sipas medias serbe Selia e Parë e Asociacionit do të jetë në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ai do të përbëhet nga Kuvendi, Presidenti, Këshilli i Përgjithshëm, një komiison me 7 anëtarë, administrate dhe një zyrë ankesash.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një ndër pikat më kritike në planin e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ndërsa ndërkombëtarët këmbëngulin që të behet, pala e Kosovës thotë se një organizim i tillë nuk mund t’i ngjajë republikës Serbska në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në 10 vitet e fundit ka pasur një sërë draftesh se si do të duket asociacioni i komunave me shumicë serbe, ndërsa së fundmi një draft të tillë e ka paraqitur edhe Shqipëria, ndërsa lëvizja e serbëve pritet që të ngjallë reagime në Kosovë në kohën kur as Vuçic e as Kurti ende nuk i kanë kthyer përgjigje Bashkimit Europian për takimin e planifikuar në Bruksel.