Partitë harxhuan miliona për rrjetet sociale, KRIIK: 124 mijë dollarë në Facebook dhe Instagram

Për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 14 majit, subjektet zgjedhore kanë harzhuar rreth 124 mijë dollarë për fushatë në rrjetet sociale. Sipas vëzhgimeve nga KRIIK, edhe reklamat i kanë kushtuar partive politike rreth 130 milionë lekë.

Partitë politike nuk janë kursyer sa i përket shpenzimeve në rrjetet sociale për fushatën elektorale, edhe pse janë treguar më dorështërnguar për reklamat mbi zgjedhjet e 14 majit.

Antuela Male vëzhguese e KRIIK u shpreh se gjatë monitorimit të aktiviteteve zgjedhore duke nisur që nga dekretimi i datës së zgjedhjeve vetëm në mediat sociale si, Facebook dhe Instagram, janë shpenzuar rreth 124 mijë dollarë, ku “Bashkë Fitojmë” dhe socialistët kanë thuajse të njëjtën faturë.

"Sa i përket pjesës së reklamave politike në Facebook dhe Instagram kemi vërejtur që në 6 muaj janë shpenzuar 124 mijë dollarë nga të gjitha subjektet zgjedhore me funksion fushatën elektorale. PS ka kryer rreth 44 mijë dollarë shpenzime në Facebook, BF ka kryer pak më shumë se 47 mijë dollarë dhe pastaj [pasojnë parti të tjera më të vogla politike," tha ajo.

Ndërkaq 130 milionë lekë janë shpenzuar nga subjektet zgjedhore vetëm për reklamat në media.

"Rezultojnë diku tek 130 mln lekë shpenzime për reklamë politike në media. Por më shumë se gjysma e këtyre shpenzimeve janë të përllogaritura, të paguara në media të cilat nuk kanë depozituar tarifa zyrtare në KQZ," tha ajo.

Sa i përket kandidatëve, pjesë më të madhe të shpenzimeve në mediat sociale e zënë kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë.

"Kandidati që ka shpenzuar shumën më të madhe është kandidati i PS Erion Veliaj me diku tek 18 mijë dollarë dhe z. Këlliçi që pason me diku tek 15 mijë dollarë shpenzime," tha ajo.

Sipas ligjit partitë do të duhet të publikojnë shpenzimet 60 ditë pas zgjedhjeve, e për këtë afat do të duhet të presin edhe rivotimet në bashkinë Rrogozhinë.