PL thirrje Ministrisë së Bujqësisë: Dërgoni ekspertët tek fermerët e Korçës, reshjet e shiut i dëmtuan prodhimin



Anëtarja e kryesisë së Partisë së Lirisë, Ismeralda Seidolli në një deklaratë për media i bëri thirrje Ministrisë së Bujqësisë të ngrejë një ekip për verifikimin e dëmeve për fermerët e Korcës pas prishjes së mallit nga reshjet e shiut të rëna ditët e fundit.

"Jam në këtë deklaratë për mediat, për të raportuar situatën e vështirë me të cilën po përballen sot fermerët e Korçës, si rrjedhojë e rreshjeve të denduara të shiut.

Me qindra hektarë tokë, kryesisht elb dhe grurë kanë pësuar dëme të parikuperueshme si pasojë e stuhive që kanë përfshirë qarkun e Korçës ditët e fundit.
Nga ana tjetër, problematikat e mbartura që vazhdon të ketë sistemi i kullimit, ndihmuan në përmbytjen e siperfaqeve bujqësore, duke dëmtuar kulturat bujqësore të stinës.

Po ashtu, prurjet e mëdha të përrenjve dhe lumenjve që kanë dalë nga shtrati, kanë zbritur inerte në rrugët e fshatit dhe tokat bujqësore, dhe dhe kanë dëmtuar bazën ushqimore dhe materiale në disa stalla.

Si rrjedhojë e kësaj situate, fermeri i Korçës sot ndodhet në mëshirë të fatit.
Përmbytja e qindra hektarëve tokë, se bashku me dëmtimin e kulturave bujqësore, ka shkaktuar edhe një dëm të madh ekonomik për fermerët.
Investimi financiar i fermerëve deri në këtë fazë është i pakthyeshëm.
Pa përmendur faktin sesi mungesa e prodhimit vendas do të ndikojë mbi konsumatorin dhe tregun, sot fermeri i Korçës është në humbje në aspektin ekonomik.

Prandaj i bëj thirrje Ministrisë së Bujqësisë, të ngrejë një grup ekspertësh për të bërë vlerësimin e dëmit ekonomik të fermerit.
I bëj thirrje instancave përkatëse, për mbështetje shtesë financiare dhe këshillim profesional për fermerin, si dhe ndihmë nga institucionet qeveritare për të përballuar këtë sfidë dhe për të ristrukturuar ktivitetin bujqësor në mënyrë që të sigurojë qëndrueshmëri ekonomike për të gjithë fermerët dhe të ardhmen e tyre," tha ajo.