BE thirrje për rregulla më të rrepta të borxhit publik dhe deficitit për vendet anëtare
Ministrat e Financave nga 11 vende të BE-së janë shprehur në favor të rregullave relativisht të rrepta të borxhit dhe deficitit për vendet anëtare.
Qeverisja fiskale e Bashkimit Evropian për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit është një debat i shpeshtë në bllokun 27-anëtarësh. Aktualisht është duke u negociuar një reformë e kornizës.
“Ne jemi të mendimit se rregulla të qarta dhe të kuptueshme që zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet anëtare e bëjnë më të lehtë respektimin dhe zbatimin e rregullave”, thanë ministrat e Financave të Gjermanisë, Republikës Çeke, Austrisë, Bullgarisë, Danimarkës, Kroacisë, Sllovenisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Luksemburgut për gazetën gjermane “Welt”.
Ministrat e shohin si detyrë të punojnë për rregulla fiskale të besueshme, transparente, lehtësisht të matshme dhe detyruese në Evropë.
Në propozimet e reformës për ‘Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes’ të paraqitura në prill, Komisioni Evropian sugjeroi që vendeve me borxhe të larta, t’u ofrohej më shumë fleksibilitet në reduktimin e borxheve dhe deficiteve.
Në vend të kërkesave uniforme për të gjitha vendet, ekzekutivi i BE-së mbështetet në planet e përshtatura për secilin vend. Shtetet konservatore fiskale, si Gjermania, mbrojnë një qasje më të ngurtë.
Berlini ka kërkuar kërkesa strikte minimale, të tilla si detyrimi i vendeve të BE-së me borxhe të larta për të ulur borxhin e tyre me të paktën 1% të PBB-së çdo vit.
Nga ana tjetër, ministri i Financave i Francës, Bruno Le Maire, i ka kritikuar këto kërkesa duke i konsideruar si joreale.
Rregullat e borxhit në ‘Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes’ janë pezulluar përkohësisht për shkak të krizës së koronavirusit dhe pasojave ekonomike nga lufta ruse në Ukrainë.
Nëse deri në fund të vitit nuk arrihet një marrëveshje mes vendeve të BE-së, rregullat e mëparshme do të rikthehen në fuqi.
Është thelbësore të rifuten rregullat fiskale por, ne duhet t’i rishikojmë ato për të siguruar buxhetimin dhe përcaktimin e përparësive në vitet e ardhshme”, thanë ministrat.
