Haradinaj: Sot është përdhosur uniforma e Policisë, Sveçla të dorëhiqet
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në konferencë për media deklaroi se situata e krijuar në veri të Kosovës, e bën të dyshojë në qëllimet e kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj shtoi se kushdo në botë e di që Kosova humb nëse nuk e ka besimin e aleancës veriatlantike të NATO-s e Amerikës.
“Kurti intensivisht me çdo veprim të vetin po e prish këtë aleancë, pra ky ose është spiun i Serbisë ose është ai që me zor do me mbet në pushtet sa me fshehë qeverinë e tij humbëse të zhytur në korrupsion e nepotizëm, e po e kërkon shpëtimin në kriminelë, duke i arrestuar ata e duke na shitur këtë si fitore të Kosovës”, tha ai.
Duke komentuar lajmin e kidnapimit të pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ana e Serbisë, Haradinaj tha se u përdhos uniforma jonë dhe kërkoi menjëherë lirimin e tyre.
“Lusim bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë preson mbi Serbinë për lirimin e tyre, kthimin e tyre në familje, dhe që aktet te tilla të mos përsëriten më kurrë. E ftojmë ministrin Sveçla të pranojë dorëheqjen sepse sot është përdhosur uniforma e institucionit të Policisë së Kosovës”, tha ai. “Ne mendojmë që Kurti po shkon në drejtim të kundërt, ai s’po e udhëheqë Kosovën drejt stabilitetit. E ka sjellë Kosovën në palë të dështuar. Pra aleatët tanë, përkrahësit tanë të sigurisë kanë filluar ndëshkime për ne që do të rezultojë në dobësimin tonë të brendshëm dhe të jashtëm”.
Haradinaj po ashtu tha se Kurti po e rrezikon ekzistencën e Republikës dhe se po synon me vetëdije shkatërrimin e mëtejmë të të arriturave të deritanishme.


