Pas tribunës së PE-së, Osmani flet për krizën në veri: Sfidë që do ta tejkalojmë, mund të them që jemi afër

Presidentja Vjosa Osmani tha se situata e krijuar në veri të Kosovës është një  sfidë për institucione. Por, sipas saj, kjo sfidë do të tejkalohet.

Në një adresim për gazetarë pas fjalimit në Parlamentin Evropian, Vjosa Osmani ka lavdëruar Policinë e Kosovës rreth aksionit të djeshëm në Mitrovicën e Veriut.

“Vërtetë mund t’i quaj sfida që po ballafaqohemi tani, por sfida që do t’i tejkalojmë jemi në rrugë të duhur për t’i tejkaluar. Jam vazhdimisht në diskutime, kontakte me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me partnerët tanë me shtetet individuale në shtetet e Bashkimit Evropian, me institucionet e BE-së dhe mund të them se jemi afër që rruga përpara të jetë një zgjedhje e përbashkët” – tha ajo.

“Janë akoma disa detaje që duhet të diskutohen por kam besimin e potë që kjo sfidë tejkalohet sepse rruga përpara duhet të jetë rrugë e përbashkët” – deklaroi ajo.

Tutje, e para vendit deklaroi se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi bazamentet që i ka edhe vetë Bashkimi Evropian, që sipas saj është edhe sundimi i ligjit.

“Sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë, pa dallim” – vlerësoi Osmani.

“Unë përshëndes punën profesionale të Policisë së Kosovës të cilët po sigurohen me profesionalizim dhe dedikim të plotë që të gjithë ata që kanë përdorur dhunë tek KFOR, Policia e Kosovës, EULEX, Qytetarëve dhe gazetarëve dhe qytetarëve, të përballen me drejtësi, dhe vetëm drejtësi” – tha ajo.