Kurti: Mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri. Ai ka thënë se anulimi ka ndodhur nga homologu i tij, Edi Rama, dhe sipas Kurtit një gjë e tillë është e paarsyeshme.

Kurti ka thënë se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave.

Por sipas tij, anulimi i mbledhjes së përbashkët nuk do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit dhe sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke shtuar se bëhet fjalë për dy shtete të të njëjtit komb.

“Kjo mbledhje është përgatitur muaj më parë dhe me kryeministrin Rama ne jemi në kontakt dhe takohemi shpesh, mirëpo mbledhjet e dy qeverive janë diçka tjetër, nuk mund të zëvendësohen mbledhjet e qeverive me takime të kryeministrave për shkak se ne duhej të nënshkruanim 13 marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka folur para gazetarëve në Prishtinë pasi ka dhuruar gjak në tendën e vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, shkruan Kosova Press.

Anulimi i saj është bërë i ditur mbrëmë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një konference të jashtëzakonshme për media.

Ai ka thënë se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti një tjetër format takimi.

Rama ka deklaruar ka thënë se nuk mund të mbahet takimi i dy qeverive në situatën kur sipas tij “Kosova po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet”.

Pas kësaj konference Qeveria e Kosovës ka deklaruar se “është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”.

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Ai ka deklaruar se pret që një dokument i tillë të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

Lidhur me këtë, të mërkurën është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.