Antenat celulare shqetësojnë Kuvendin, Xhelal Mziu: Një person e evidentua me probleme nga rrezatimi
Kreu i AKEP-it, Tomi Frashëri: I kemi kërkuar operatorëve të ngrejnë stacione të fuqishme, jo provizore
Opozita shfrytëzoi praninë e kreut të AKEP-it në Komisionin Parlamentar për të denoncuar problemet shëndetësore që po iu shkaktohet qytetarëve nga vendosja e antenave telefonike në qendra të banuara si pasojë e rrezatimit të lartë që ata kanë. Xhelal Mziu solli një shembull konkret, ndërsa këkroi zhvendosjen e këtyre antenave.
Rrezatimi i antenave celulare dhe efektet shëndetësore tek qytetarët janë bërë shkak për debate në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.
Pas raportimit të kreut të AKEP-it, deputetët e opozitës kërkuan sqarime sa i përket rrezikut nga rrezatimi prej antenave celulare të vendosura pranë qendrave të banuara.
Xhelal Mziu solli një shembull për të ngritur shqetësimin.
“Një person u identifikua me probleme që vinin nga antenat celulare dhe pastaj u mor dhe një grup prej 10 vetash dhe ngelen shqetësuese”, theksoi ligjvënësi demokrat.
Por kreu i AKEP-it, Tomi Frashëri shton se nuk është instituticioni i tij përgjegjegjës për matjen e rrezatimit, edhe pse shtoi se çdo gjë është brenda normave.
“Kompetencat e AKEP-it janë deri diku reziduale. Nuk duhet harruar që AKEP-i është një rregullator i tregjeve të komunikimeve elektronike, nuk është politikbërës”, tha ai.
Opozita kërkoi dhe zhvendosjen e antenave në zona të pabanuara, por për këtë u tha se kërkon kohë.
“Për sa i përket antenave celulare që ju i konsideroni rrezik për qytetarët duhet të keni parasysh që vendosja e tyre varet nga dy kushte: Kushti i parë, ose problematika e madhe e operatorëve për të ngritur stacione të fuqishme për transmetimin e valëve për arsye të vonesave dhe burokracive që ekzistojnë për dhënien e lejeve përkatëse”, theksoi Frashëri.
Me të njëjtin mendim nuk ishte Agron Duka.
“Ajo që ju thatë që nuk është faji jonë, por ëhstë faji i burokracisë shtetërore për licencat etj, kjo është alarmante”, theksoi Duka.
Një tjetër problematikë ishte dhe mosmbulimi i të gjithë territorit me valë të kompanive telefonike.
“T’i bëhet një lloj presioni kompanive që të mbulojnë sidomos rrugët me përshkueshmëri të lartë dhe pikat turistike”, propozoi deputeti i PD-së, Helidon Bushati.
“Kemi detyruar operatorët të ndërtojnë stacione provizore, të cilat nuk kanë fuqinë as të një stacioni definitiv dhe siç e thotë dhe vetë termi, ato janë stacione provizore. Kështu që duhet një zgjidhje e cila ka shumë të bëjë me çështjen e lejeve të ndërtimit”, u shpreh kreu i AKEP-it, Tomi Frashëri.
Ndër të tjera në raportim u theksua se në vitin 2022, shpenzimet për sigurinë kibernetike të vendit llogariten 6 milionë e 487 mijë lekë.





