Fate Velaj prezanton vizionin si ambasador: Ura për shkëmbimin e eksperiencave me Austrinë
Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Fatmir Velaj, kandidat për ambasador i Shqipërisë në Austri.
Në prezantimin e platformës së kandidimit, Velaj u shpreh se politika e jashtme e Austrisë në raport me Shqipërinë nuk lëviz, pavarësisht se cila forcë vjen në pushtet.
“Perspektiva europiane e Shqipërisë asnjëherë nuk është vënë në diskutim. Të gjithë e dinë mbështetjen që Austria i ka dhënë integrimit europian të Shqipërisë nga marrja e firmosja e MSA-së apo edhe traktateve të ndryshme ekonomike, integrimit europian, artit, kulturës, arsimit dhe mbrojtjes dhe drejtësisë”, tha Velaj.
Ai i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet politike mes dy vendeve, ndërsa solli në vëmendje vizitat e fundit të zyrtarëve austriakë në vendin tonë.
Në rrafshin ekonomik, Velaj theksoi se Austria ishte e para që investoi në sistemin bankar e energjetikë.
“Austria është shtet që e ka dashur Shqipërinë. Në këtë drejtim, unë do të krijojë urat e nevojshme për shkëmbimin e eksperiencave më të mira”, tha ai.
Velaj theksoi po ashtu se në Vjenë është një prej diasporave më të jashtëzakonshme.
“Këtë pasuri të madhe ambasada do ta vendosi në një pozicion të tillë që brezat që do të vijnë më pas të kenë një pasqyrë të pastër”, tha ai.



