Kandidatja për ambasadore në Kuvend, Sakiqi: Gjermania forcë graviteti në BE, theks të veçantë mbështetjes për negociatat

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Adia Sakiqi, kandidate për ambasadore në Republikën Federale të Gjermanisë.

Gjatë prezantimit të platformës së kandidimit, Sakiqi u shpreh se Gjermania është një nga vendet më të rëndësishme të BE-së për vendin tonë pasi është forca e gravitetit vendimmarrës politik dhe ekonomik në BE.

“Gjermania është vendi me peshën më të madhe në vendimmarrjen e BE-së dhe marrëdhënia me këtë vend është themel i politikës sonë në rrugëtimin europian”, tha ajo.

Sakiqi vlerësoi se marrëdhëniet me Gjermaninë janë shumë të mira, ndërsa shprehu angazhimin që bashkëpunimi me Bundestagun të çohet në një nivel tjetër.

“Kemi bashkëpunimin me fondacionet gjermane dhe shoqërinë civile. Të mos harrojmë peshën ekonomike që ka Gjermania në Europë, të shfrytëzojmë këto lidhje bilaterale për ekonominë shqiptare”, tha ajo.

Duke u ndalur te komuniteti shqiptar në Gjermani dhe roli i diasporës në zhvillimin social dhe ekonomi, Sakiqi vuri në dukje se deri tani janë 75 mijë shqiptarë të regjistruar.

“Ata janë ambasadorët e kombit, na përfaqësojnë ne. Ata janë e ardhmja. Një ambasador shkon për 4 vjet e lë mandatin shkon diku tjetër, kurse diaspora mbetet aty”, tha ajo.

Ajo nënvizoi se Gjermania është vendi i tretë mikpritës i diasporës shqiptare në Europë, ndërsa potenciali i diasporës shqiptare në Gjermani si kudo tjetër është aset.

Në rrafshin politik, Sakiqi u shpreh se po jetojmë një momentum në gjeopolitikën europiane dhe një fazë të re të marrëdhënieve tona me BE-në, pasi qartësisht dhe pa asnjë ekuivok është konfirmuar roli i Shqipërisë si shtyllë stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria me shtrirjen e saj gjeografike, qëndrimet konstruktive në rajon, politikën e jashtme të linjëzuar unison me atë të BE-së po faktohet çdo ditë e më shumë si faktor i qëndrueshëm stabiliteti. Shqipërisë i njihen reformat, përpjekjet dhe puna që ka bërë”, tha ajo.

Sakiqi theksoi se partnerët europianë janë të vetëdijshëm se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë është e pakthyeshme.

“Gjermania gjen te ne një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm, i cili kontribuon në çdo hap që hedh në paqe dhe stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik në vend por edhe në rajon. Ndaj theks i veçantë do t’i vendoset punës për shtimin e mbështetjes gjermane në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE “, tha ajo.

Në këtë drejtim, Sakiqi theksoi se roli që luan Gjermania është i patjetërsueshëm, është themelor dhe i një rëndësie të veçantë.

“Vendimet e BE-së nuk merren në Bruksel, ato merren në Berlin, Paris, Hagë, Vjenë, Romë. Ndaj dhe do jetë prioritet i punës sime që të punojmë ngushtë me Bundestagun, me fondacionet politike gjermane, me Kancelarinë për të transmetuar mesazhin se aleanca e Shqipërisë me BE-në është në ADN-në e çdo shqiptari”, tha ajo.

Sakiqi nënvizoi se Shqipëria nuk ka dy axhenda, ka vetëm një dhe ajo është europiane. “Këtë partnerët tanë duhet ta kenë shumë të qartë dhe kjo na dallon ne qartë në rajonin tonë”, shtoi ajo.

Diplomacia ekonomike dhe ajo publike, sipas Sakiqit do të kenë një fokus të veçantë në punën e saj, ndërkohë që prioritet do të jetë edhe përmirësimi i shërbimit konsullor.

Në rrafshin e bashkëpunimit rajonal, Sakiqi theksoi se do të jetë zëdhënëse për të siguruar mbështetje të shtuar të Gjermanisë për sa i përket perspektivës europiane për të gjithë rajonin.

“Procesi i Berlinit është jetik për Shqipërinë. Ky proces ka ndërlidhje edhe me ‘Ballkanin e hapur’. Kjo është një nga prioritetet e punës sime, ndërkohë që një zhvillim shumë i rëndësishëm është edhe mbajtja e samitit të Procesit të Berlinit në tetor në Tiranë”, theksoi Sakiqi.