Prezantohet kandidatja për ambasadore, Frangaj: Intensifikim i marrëdhënieve me Vatikanin, promovim i turizmit religjoz
Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Majlinda Frangaj, kandidate për ambasadore të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Frangaj, e cila ka mbajtur detyrën e të Ngarkuarës me Punë pranë Selisë së Shenjtë renditi disa nga prioritetet e platformës së saj të kandidimit.
Në fillim të fjalës së saj, Frangaj vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, ndërsa informoi se marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në shtator 1991.
Ajo garantoi se do të punojë edhe më shumë për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Vatikanit.
“Në këto vite si e Ngarkuar me Punë kam punuar fort në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Vatikanit dhe Shqipërisë, të cilat janë përforcuar akoma më shumë në bazë të vizitave që janë kryer”, tha ajo.
Frangaj theksoi se pjesë e punës së saj ka qenë promovimi i dialogut ndërfetar, promovimi i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, promovimi i lirisë dhe tolerancës fetare, i historisë së Shqipërisë, kulturës, kishave të krishtera, si dhe persekutimi i klerit katolik.
Ajo theksoi se objektiv i punës së saj do të jetë intensifikimi i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit si dhe prezantimi i veprave kulturore, artistike dhe religjoze të Shqipërisë në muzetë e Vatikanit.
“Kjo do të ishte një hapësirë më tepër për promovimin e vlerave tona artistike dhe kulturore”, tha Frangaj, ndërsa renditi si prioritet edhe promovimin e turizmit religjoz.



