“Triathlon” bashkon ballkanasit, Veliaj: S’ka rëndësi nga ku jemi. Rrëzohemi e ngrihemi bashkë
Edicioni i pestë i Tirana Triathlon, bëri bashkë në kryeqytet shqiptar sportistë nga i gjithë Ballkani duke konfirmuar se Sporti dhe Arti janë diplomacia më e mirë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e veçoi këtë fakt në ceremoninë e ndarjes e çmimeve të garës ku triumfuan shqiptarët dhe serbët.
Ka çështje që Ballkanasit i ndajnë, por edicioni i pestë i Tirana Triathlon, konfirmoi se sporti i bashkon popujt.
“Ne jetojmë në Ballkan, unë jam shumë i përgjegjshëm për këtë. Dhe është një vend ku të gjithë kemi pak më shumë zell për debat, apo një fjalë më shumë seç duhet, por sporti na ka mësuar që në një fqinjësi ku ne jetojmë bashkë, ne biem bashkë dhe rrëzohemi bashkë. Nëse ne nuk kuptojmë që fqinjët nuk i zgjedhim dot, por ama jemi të destinuar që të jetojmë bashkë, të destinuar që të bashkëpunojmë, të destinuar që të lulëzojmë së bashku, sporti është diplomacia më e mirë. Ndaj motra dhe vëllezër le të kujtojmë që sporti na bën bashkë. Nuk ka rëndësi nëse jemi nga Kosova, nga Serbia, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, apo nga Bullgaria, jemi pjesë e një mëhalle. Ndaj siç rrëzohemi bashkë, ashtu dhe ngrihemi bashkë edhe bashkëpunojmë të gjithë me njëri-tjetrin,” tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e bëri këtë deklaratë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve trigarëshit në not, vrap dhe çiklizëm me pjesëmarrës nga shumë vende të tjera sidomos të rajonit të Ballkanit.
Veliaj u shpreh i lumtur që sporti e sidomos këto gara po kthehen në një traditë të përvitshme në kryeqytet, ku paralajmëroi se eventet e mëdha sportive sidomos në këtë vit kur Tirana është qyteti evropian i sportit nuk do të mbeten me kaq.
