Rama: Rezultati i 14 majit, arsye e fortë që të motivohemi e të bëjmë më shumë për qytetarët
Kryeministri Edi Rama në turin e takimeve falënderuese pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, në Berat deklaroi se rezultati i PS-së në zgjedhjet e 14 majit është një arsye shumë e fortë që të ne të motivohemi më shumë të përpiqemi më shumë e të bëjmë më shumë.
“PS ka marrë numrin më të lartë të votave historikisht, kemi fituar një mandat për të qeverisur në 54 bashki, por janë më shumë se 95% e popullsisë që do të drejtohen nga kryetarët tanë të bashkive. Ashtu sikundër kemi dalë forcë e parë në këshillat bashkiakë më shumë se në zgjedhjet e tjera vendore dhe kemi marrë mbështetjen e njerëzve për herë të parë në 30 e kusur vite në Tropojë, Kukës, Shkodër, Kamzë e me radhë.
Kemi dy herë e gjysmë më shumë këshilltarë se të dytët pas nesh që në fakt nuk janë të dytët pas nesh, por janë të fundit prapa nesh. Të gjitha këto janë rezultat i shumë gjërave, por mbi të gjithave janë rezultat i kontributit dhe angazhimit të anëtarëve dhe anëtareve të PS-së. Janë rezultat i përkushtimit të të gjithëve ju dhe atyre që si ju gjatë gjithë kësaj përpjekje u angazhuan si kryetarë organizatash, patronazhistë, aktivistë, koordinatore duke bërë të mundur që makina jonë elektorale të hyjë me shpejtësi të re dhe të dalë me një rezultat të ri rekord në politikën shqiptare”, theksoi Rama.
Në këtë rezultat, vijoi Rama, rolin vendimtar e patën zgjedhësit që na votuan masivisht dhe dua t’i falënderoj të gjithë pa përjashtim, zgjedhësit e këtij qarku edhe ata zgjedhës që kanë votuar ndoshta për herë të parë për PS-së dhe kandidatët tanë duke qenë të djathtë, por duke preferuar që këtë herë të votojnë për veten, familjen, lagjen e qytetin e tyre e të mos e humbasin votën në drejtim të paditur.
