Nga vila e biznesmenit të “Dricons” në zyrën e shtetit, si lëvizën 3.3 mln lekë që çuan në prangosjen e Vladimir Topit dhe 3 personave të tjerë
Ndërhyrja e SPAK për të kapur një rast flagrant të korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë, ka çuar në 4 persona të arrestuar, mes tyre dhe dy sekretaret e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në mesditën e kësaj të diele, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK, kanë vijuar operacioknin e dy ditëve më parë, duke arrestuar biznesmenin Vladimir Topi dhe inxhinierin në varësisë të tij, shtetasin Silvi Shehu.
Hetimi i udhëhequr nga prokurori Dritan Prençi, ka provuar se biznesmeni nga Lushnja që administron kompaninë e ndërtimit “Dricons”, ka paguar një shumë prej 3.3 milion lekë të vjetra tek sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, me qëllim fitimin e një tenderi me vlerë 8 milion lekë të vjetra.
Qëllimi i tenderit ka qënë për supervizimin e ndërtimeve që janë kryer në Qëndrat Shëndetësore në qarkun e Tiranës dhe Durrësit.
Hetuesit kanë provuar se sasia e parave ka dalë nga vila luksoze e biznesmenit Vladimir Topi dhe përmes Laura Shtetos kanë hyrë në zyrën e sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas SPAK, vlerën monetare Vladimir Topi i “Dricons” ja ka dhënë në ambjentet e shtëpisë së tij, inxhinierit që ai ka në varësi, shtetasit të arrestuar Silvi Shehu.
Pasi ka marë sasinë e parave, Shehu është takuar me Laura Shteton një sekretare e thjeshtë pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Shteto ka marë porosinë nga Silvi Shehu, dhe është larguar në drejtim të Ministrisë së Shëndetësië tek rruga e Kavajës.
Ka hyrë në ambjentet e këtij institucioni, por të gjitha veprimet kanë qënë në mbikqyrje të SPAK. Përmes kamerave të brendshme të ministrisë së Shëndetësisë, Shteto është parë të hyjë në zyrën e sekretares së Përgjithshme, ku dhe ka dorëzuar sasinë e parave.
Në këtë moment kanë ndërhyrë oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët bënë të mundur gjetjen e parave prej 3.3 milion lekë të vjetra dhe arrestimin në flagrancë të sekretares së Përgjithshme, Joana Duro dhe vartëses së saj Laura Shteto.
Por dy ditë më pas, SPAK arrestoi dhe biznesmenin Vladimir Topi dhe Inxhinierin Silvi Shehu, të cilët akuzohen për veprën penale të “Korrupsionit aktiv”.
SPAK ushtroi kontrolle dhe në banesat e tyre, por nuk gjeti sende të paligjshme. Tenderi për të cilin thotë SPAK-u është zhvilluar në 22 Maj dhe i gjithë fondi limit i tij ishte 805 mijë e 872 lekë.
Pra, me një përllogaritje të thjeshtë rezulton se Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë mori rryshfet 41 për qind të fondit limit të tenderit.
