Popullsia drejt plakjes, ekspertët: Duhen analizuar shifrat, strategji ripërtëritje

Plakja e popullsisë është shqetësim i rritur në shoqëritë e sotme. Një raport i fundit tregon se vendet si Shqipëria pritet të kenë një rritje të fortë të moshës mesatare deri në vitin 2100. Për psikologët këto të dhëna duhet të analizohen për të realizuar politika sociale.

Plakja e popullsisë po konsiderohet një fenomen mjaft shqetësues në mbarë botën. Por teksa shtete të forta kanë krijiuar si strategji thithjen e emigrantëve, në vende të vogla çështja konsiderohet me delikate.

Një raport i fundit del në rezultatin se pesha e popullsisë mbi 65 vjeç në Shqipëri pritet të rritet me shpejtësi nga 16.7%, që është sot në 40 për qind deri ne vitin 2100.

Per psikologen Anxhela Peza, plakja e popullsisë është rezultat i shumë faktorëve.

"Disa nga faktorët kryesorë që ka ardhur plakja e popullsisë ka të bëjë me ndryshimin e familjes, konceptit dhe këndvështrimin që kanë individët për të krijuar nja familje dhe për tu bërë prindër. Më parë kishim nëna me shumë fëmijë, nëna përkushtohej më shumë në familje, martesat bëheshin në një moshë shumë të hershme, jo në një moshë të vonshme siç ndodh sot dhe edukimi dhe emancipimi i gruas nuk ishin kaq të mëdha sa janë sot. Më vonë erdhi zëvendësimi i dy prindërve me dy fëmijë. Kemi dhe nëna që janë vetëm me një fëmijë, kemi emigrimin e shumtë dhe të rinj që janë pakënaqur nga të ardhurat ekonomike dhe punësimi i tyre," tha ajo.

Ndikimi, nëse nuk do të merren masa do të ndihet në fusha të ndryshme, si shëndetësia, pensionet, tregu i punës dhe shërbimet sociale.