Helmim nga uji në Gjoricë, vijon fluksi i qytetarëve në qendrën shëndetësore

Prej dy ditësh banorët e Njësisë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës vijojnë të paraqiten në institucionet shëndetësore për shkak të problemeve me shëndetin.

Dhjetra qytetarë kanë shfaqur shenjatë vjella dhe dhimbje barku. Dyshohet se kjo ka ardhur nga konsumimi i ujit të pijshëm në ujësjellësin e kësaj zone i ndërtuar vetëm pak muaj më parë.

 Banorët thonë se prej të paktën 48 orësh po shkojnë të kërkojnë ndihmë në qendrën Shëndetësore Gjoricë, atë Shupenzë dhe në spitalin e Bulqizës. Sipas tyre, pas këtyre problemeve institucionet iu kanë kërkuar që të mos konsumojnë ujë nga rrjeti i ujësjellësit, ndaj janë detyruar që ta blejnë.

"Ujësjellësi ështëe objekt i rënëdisë së veçantë dhe ruhet me armë. Këtu nuk ka shtet, nuk di kush se çfarë bëhet.

Të tre fëmijët e vegjël i kam në serum.

Me bark e me të vjella, na lajmëroi ajo e shëndetësisë mos pini ujë se ka dalë me helmim.

E gjithë zona të gjithë që pinë ujë këtej është i helmuar. Unë kam çuar gruan mbrëmë në 10 të darkës në serum. E gjithë zona është e helmuar," thonë banorët.

Ndërkohë, personeli shëndetësor i Qendrës së Gjoricës është rikthyer në punë këtë të dielë edhe pse është ditë pushimi.

Shkak për këtë mësohet se është fluksi i banorëve që kërkojnë të marrin trajtim, kryesisht me serum. Lavdiu Ruçi, infermiere pranë kësaj qendre tha se po i jepet ndihma e nevojshme çdo banori që paraqitet.

"Ka pas shumë pacientë me helmim, se nga ka ardhur helmimi nuk e di. Ata kanë qënë me konstipacione, të vjella, diarre," tha ai.

Ndërkohë, pasditen e së shtunës, policia e Bulqizës ka nisur hetimet për rastin, ndërsa Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor po bën analizat e thelluara të ujit të pijshëm.