Rakitiç: Sevilla e meritoi trofeun. Mesfushori tregon sekretet e triumfit në Europa League
Sevilla u konfirmua sërish si “mbretëresha” e Europa League, turne që e fitoi për herë të shtatë pas fitores ndaj Romës nga pika e bardhe e penalltive 4-1.
Roma dhe Moruniho shigjetuan arbitrin Tylor si fajtorin e humbjes, ndërkohë që Ivan Rakitic e cilëson të merituar fitoren e skuadrës së tij.
“Ishte një ndeshje shumë e luftuar deri në golin e parë. Skuadrat po respektonin njëra-tjetrën deri në atë moment. Pas golit të pësuar nisëm ta dominonim Romën. Ishim ne padronët e fushës. Ishte vetëm çështje kohë të futeshim në zonën e tyre dhe të shënonim. Më pas ishim ne që e tentuam fitoren. Sinqerisht besoj se fitoi skuadra më e mirë në fund”, tha Rakitiç, i cili u ndal më pas te sekreti i finales.
“Rivalët shqetësohen kur përballen me ne në këtë turne. Mendoj se ekziston një lidhje speciale me Europa League. Na duket sikur ky trofe i përket klubit tonë. Duket joreale, mund të duket e çuditshme, por është e pabesueshme ta fitosh Europa League për të shtatën herë. Edhe një herë treguam se çfarë do të thotë ky titull për klubin, për ne dhe për tifozët tanë. Ishte e jashtëzakonshme! Dua të falënderoj të gjithë tifozët që udhëtuan drejt Budapestit për të na mbështetur. Le të themi që nuk ka asnjë ekip që e do këtë kompeticion si ne. Nuk është thjesht marketing, ne e ndjejmë realisht Europa League”, shtoi mesfushori kroat, që komplimentoi dhe portierin Bono.
“Iu thashë shokëve kur u mblodhëm në mesin e fushës: ‘Bono do të presë dy penallti’. Kemi dy portierë të jashtëzakonshëm. Bono dhe Dmitrovic kanë aftësi të veçanta në pritjen e penalltive”.