Bardhi: Tallje e drejtësisë me drejtësinë lirimi i Tahirit, ishte kampion i Ramës për bandat kriminale
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas lirimit të ish-ministrit Saimir Tahiri.
Bardhi e cilëson lirimin e parakohshëm të Tahirit si tallje e drejtësisë me drejtësinë. Sipas tij, Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që garantojë paprekshmërinë e grupeve kriminale
“Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që garantojë paprekshmërinë e grupeve kriminale, thellojë bashkëpunimin e shtetit me to dhe si kurrë më parë me leje shtetërore mbushi vendin me kanabis, duke favorizuar fuqizimin e krimit të organizuar.
Lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re ti jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake.
Abuzuesit e pushtetit duhet të vuajnë të plotë dënimin e tyre, pa asnjë favorizim politik dhe duke u trajtuar të barabartë me çdo qytetar tjetër. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e konsideroj vendimin e sotëm politik të Gjykatës së Elbasanit një turp të drejtësisë dhe si një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, deklaroi Bardhi për mediat.
