Qeveria miraton fondet për Akademinë e Shkencave/ Ja sa para do të përfitojë çdo anëtar në bazë të titullit që gëzon
Është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë për të shpërblyer monetarisht çdo muaj të gjithë anëtarët e Akademisë së Shkencave, në varësi të titujve që ata gëzojnë.
Shpërblimet do të jenë 100 mijë dhe 70 mijë lekë në muaj, i cili do të përfitohet në mënyrë të përhershme nga anëtarët e Akademisë së Shkencave.
Dhënia e shpërblimit, sipas pikës 1 të këtij vendimi kryhet nga Akademia e Shkencave dhe përballohet nga buxheti vjetor, i miratuar për këtë institucion.
VENDIM
Nr. 302, datë 17.5.2023 PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT MUJOR TË PËRHERSHËM PËR TITULL TË ANËTARËVE TË ASAMBLESË SË AKADEMISË SË SHKENCAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 14, të ligjit nr. 53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Anëtarët e Asamblesë së Akademisë së Shkencave përfitojnë një shpërblim mujor të përhershëm, për titullin “Akademik”, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë, dhe për titullin “Akademik i asociuar”, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë), edhe nëse marrin statusin e anëtarit “Emeritus”.
Dhënia e shpërblimit, sipas pikës 1 të këtij vendimi kryhet nga Akademia e Shkencave dhe përballohet nga buxheti vjetor, i miratuar për këtë institucion.
Akademisë së Shkencave, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i shtohet fondi prej 15 900 000 (pesëmbëdhjetë milionë e nëntëqind mijë) lekësh, i cili përballohet nga fondi i kontingjencës, i buxhetit të vitit 2023.
Vendimi nr. 399, datë 27.3.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të rregullt, të anëtarëve të përhershëm dhe të anëtarëve të asociuar të Akademisë së Shkencave”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ngarkohet Akademia e Shkencave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 qershor 2023.





