Berisha: Tahiri u lirua pas ultimatumit që i dha Ramës se do zbërthente lidhjet e tij dhe Olsit me bandat
Sali Berisha nga selia blu komentoi sot edhe vendimin e Gjykatës së Elbasanit për të liruar nga burgu ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Berisha: Saimir Tahiri u lirua me urdhër të Edi Ramës me ultimatumin që i çoi se është dita e durimit, përndryshe do zbërthej të gjitha lidhjet e Olsit dhe Edit me bandat që nga Meksika deri në Afrikë të Jugut. Kështu që është një urdhër direkt i Edi Ramës. Saimir Tahiri ia dha këtë ultimatum botërisht. I keni parasysh deklaratat e tij.
Më në fund ai arriti ta mposhtë Edi Ramën, i cili tani është i ngërthyer në aferën McGonigal. Po bën lobimin më të fuqishëm, por nuk do të shpëtojë dot me gjithë angazhimin e Soros dhe miqve të tij. Unë kam bindjen se drejtësia amerikane do i tregojë vendin këtij korruptori të McGonigal.
