Abdixhiku: Kosova po humb aleatët dhe sovranitetin si pasojë e Kurtit, sulmoi aleatët tanë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti për situatën e krijaur në veri të Kosovës. 

Ai në seancën e sotme të Kuvendit, tha se Kosova ka gjasa të humb aleatët dhe sovranitetin si pasojë e politikës së gabuar të kryeministrit Kurti.

“Në një situatë të pamenduar më parë të paprecedent dhe të rrallë, Kosova ende vazhdon të sulmohet prej bandave, ndërsa kryeministri i Kosovës është në sulm fatkeq ndaj miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtar. Si rrjedhojë Kosova ka përfunduar e përballur me tension dhe paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në veri, por ka përfunduar edhe me dënim, sanksione dhe penalizmi ndërkombëtar në përmasa të papara ndonjëherë më parë.

Këto reagime të sekretarit Blinken, të Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe shteteve më mike të Kosovës kundër shtetit tonë në një kauzë të drejt janë si pasojë e keq veprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriu të vetëm, atij që sot e mban postin e kryeministrit të Kosovës...Jo vetëm pa aleatë, por edhe me aleatë kundër nesh, vendi ynë nuk ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin dhe as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbasë aleatët edhe sovranitetin. Këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti sot. Edhe pa aleatë edhe pa sovranitet”, tha ai.