Shtuni: Situata e tensionuar në veri, Kurti nuk mund ta quajë të gabuar qëndrimi ne SHBA-ve

Në një intervistë për RTV Ora, Adrian Shtuni, ekspert sigurie u shpreh se situata në veri të Kosovës është shumë e tensionuar.

Ai tha se të dalësh në mediet ndërkombëtare dhe ta cilësosh si të gabuar qëndrimin e SHBA-ve, nuk është një qasje e zgjuar dhe produktive për një kryeministër të një vendi të ri.

Shtuni: Situata është shumë e tensionuar. A mendonte Kurti se qasja nuk do të shkaktonte krizën që shkaktoi apo mendoi se rreziku në veri është një çmim i arsyeshëm. Mendoj se mesazhet që janë lëshuar nga SHBA-të, i janë drejtuar të dyja vendeve që të ulin tensionet dhe të marrin hapa për gjendjen e krijuar. Po ashtu i kanë thënë Serbisë që të ulin gjendjen ushtarake në kufi me Kosovën dhe t’i këshillojnë serbët në Kosovë që të mos kenë sfidim në raport me forcat e KFOR-it. Ka pasur më shumë kritika dhe sanksione ndaj Kosovës. Është anuluar Defender 23 dhe është një gjë që kërkon reflektim.

Të dalësh në mediet ndërkombëtare dhe ta cilësosh si të gabuar qëndrimin e SHBA-ve, nuk është një qasje e zgjuar dhe produktive për një kryeministër të një vendi të ri për të vazhduar njohjen dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Se kostot bien mbi Kosovën dhe jo mbi Kurtin. Mendoj se nuk është një deklaratë e sinqertë se marrëdhëniet me SHBA-të janë shumë të mira, kur ata kanë thënë se kjo gjë ndikon në marrëdhëniet dypalëshe. Marrëdhëniet janë të ndikuara negativisht. Për mua nuk ka një aleat më të mirë sesa SHBA-të, pasi ata kanë investuar shumë fort që të bëjnë një koalicion qysh nga bombardimi i Jugosllavisë për të ndaluar gjenocidin serb.