Shtyhet seanca për incineratorin e Elbasanit, avokati i Kokës: Prokuroria, kontradiktore. Sekuestroja, e paimagjinueshme!
Shtyhet seanca gjyqësore për incineratorin e Elbasanit që do të mbahej këtë të enjten në Gjykatën e Posaccme, GJKKO.
Mësohet se shkak i shtyrjes është bërë mungesa e dy avokatëve në sallë të dy të pandehurve Serafin Papa dhe Bardhyl Çabiri. Ndërsa mësohet se seanca e radhës do të mbahet më 8 qershor.
Ndërkaq, avokati i ish-ministrit Lefter Koka, Dritan Hamitaj, në një prononcim për mediat, ngriti pretendime se konkluzionet e prokurorisë janë të paqarta.
“Duhet të ketë një rrjedhë logjike në konkluzionet e prokurorisë, në lidhje me pasuritë që dyshohen të përfituara.
Lefter Koka është bërë ministër në vitin 2014, kantina nuk mund të lihet në sekuestro sa kohë që është ndërtuar që në fund të viteve 90. Si mund të kërkohet konfiskimi i kësaj prone?
Pasuria e sekuestruar është shumë më e madhe se ajo që pretendohet se është përfituar nga korrupsioni, produkti i krimit që kërkon të sekuestrojë prokuroria është i paimagjinueshëm”, u shpreh avokati i Kokës, Dritan Hamitaj.




