Kalon nën varësinë e Akademisë së Shkencave, ASA: Jemi kundër, vendim pa transparencë

Pas vendimit për ta kaluar Akademinë e Studimeve Albanologjike në varësinë e Akademisë së Shkencave ka reaguar edhe ASA.

Në një njoftim ASA shkruan se vendimi është hartuar pa transparencë dhe se ata janë kundër diçkaje të tillë, që e kanë cilësuar si akt politik.

“Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike i mbledhur urgjentisht pas deklaratës publike të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, për miratimin e projektvendimit për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, shpall:

Është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave; Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri; Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë.

Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik.

ASA u shpreh mirënjohjen qindra mijëra qytetarëve, institucioneve kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit, partnerëve tanë, aktivistëve dhe mediave që i dhanë jehonë këtij akti të paprecedent dhe të ndërmarrë në limitin e kohës.” – thuhet në njoftim.