Hetimet për sulmin ndaj TCH, dërgohet letërporosi në Gjermani për ekspertimin e profileve të ADN-së

Hetimet për zbardhjen e autorëve që goditën me armë në 27 Mars 2023 “Top Channel”, tashmë po kryhen në një laborator shkencor në Gjermani. Përmes një letërporosie, mostra të analizave të ADN-së të fiksuara në makinën tip “Range-Rover” dhe disa gëzhoja automatiku, janë dërguar për ekzaminim në Gjermani.

Prokuroria shpreson të gjejë profile krahasuese në gjermani, me shpresën e vetme të identifikimit të autorëve të këtij krimi të rëndë ndaj një institucioni mediatik, ku mbeti i vrarë roja i objektit Pal Kola.

“Ora News” mëson se kjo është një praktikë e përsëritur nga ana e prokurorisë së Tiranës, e cila gjatë eksperiencës bashkëpunuese me autoritet Gjermane, ka pasur sukses në identifikimin e rastit të vrasjes së Eglantina Bucit në vitin 2012.

Deri në këtë fazë, kur shënohen dy muaj nga ndodhja e goditjes me armë është konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore, se plumbi që i mori jetën rojes ka qenë rikoshet.

Kjo përgjigje ka përjashtuar mundësinë që viktima Pal Kola, të ketë qenë objektivi i autorëve. Hetimi ka përjashtuar totalisht se Pal Kola ka qenë objekt i këtij sulmi me armë.

Sipas dinamikës së ndërtuar përmes kamerave të sigurisë së televizionit por dhe ekspertizave të kryera, është provuar se autorët kanë qëlluar 1 plumb të vetëm në drejtim të kabinës ku qëndronte roja, Pal Kola.

Plumbi që i ka marrë jetën këtij të fundit, sipas dy ekspertizave rezulton të ketë ndryshuar trajektoren.

Pasi predha është gjendur e dëmtuar, gjë të cilën e provojnë ekspertët balistikë dhe mjekësia-ligjore. Pal Kola, nuk ka nderuar jetë brenda në kabinën e rojes, por ai ka dalë jashtë saj duke ecur rreth 7 metra dhe më pas është rrëzuar në oborrin e televizionit.

Vetëm pak orë pas sulmit me armë të “Top-Channel” dhe vrasjes së Pal Kolës, policia e Vlorës ndaloi rastësisht Roberto Papçin, ish-dhëndrin e viktimës, ku pas marrjes në pyetje ai është lënë sërish i lirë.

Ndërkohë prokuroria e Tiranës është në pritje të përgjigjeve të një letërporosie nga Europoli qendror në Holandë. Të dhënat që do të vijnë prej andej kanë ngjallur shpresën për të zbuluar agresorët.

Goditja me 15 plumba e godinës së “Top-Channel”, vijon të qëndrojë e pazbardhur, megjithëse policia dhe prokuroria e Tiranës, pretendojnë se kanë ngushtuar ndjeshëm rrethin e personave, që dyshohet se morën pjesë në goditjen me armë të televizionit.