Rama: Gratë dhe vajzat në bashkinë e Shkodrës duhen mbrojtur e motivuar
Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga kryetari i sapozgjedhur i bashkisë Shkodër, Benet Beci, që të bëjë një vlerësim meritokratik për gratë dhe vajzat që punojnë në bashki, të cilat duhen mbrojtur dhe motivuar.
Në një takim me grupin e këshilltarëve socialistë të bashkisë Shkodër, Rama kërkoi që gratë dhe vajzat të mos largohen nga puna.
“Ajo që unë e kam pasur gjithmonë merak edhe në 2019 është se duhet të kemi shumë kujdes me gratë. Mos të hiqen, mos të largohen, sepse janë jo me këtë, jo me atë parti. Bëj vlerësim meritokratik dhe gratë dhe vajzat që janë në punë, duhen mbrojtur e motivuar. Ti ke votuar vetë për PD-në, hera e parë që ke votuar për PS-në ka qenë këtë herë”, shtoi Rama.
Rama paralajmëroi kryetarin e sapozgjedhur të bashkisë, Benet Beci se për të marrë vendimet e duhura duhet të dijë të thotë “jo”.
“Do ta shohësh që fushata është pjesa më e lehtë, se janë të gjithë që luftojnë. Kur të hysh në zyrë je vetëm. Nuk ke më njeri. Je vetëm me ekipin, por vendimet në fund janë të tuat, ndarjen e muhabeteve do ta bësh ti. Që të marrësh vendimet e duhura duhet të dish të thuash ‘jo’, dhe të thuash ‘jo’ këtu nuk është kollaj, se je i rrethuar”, tha ai.
Nga ana e tij, Beci u shpreh mirënjohës për gjithë pjesën e fushatës, ndërsa siguroi se “jemi një ekip i gatshëm për të filluar një mision të ri”.
“Besoj se jemi ekipi i duhur për këtë gjë. Mendoj se është sukses fakti që arritëm të jemi të parët, tani presim me padurim të fillojmë punën”, tha ai.
Drejtuesja politike e PS-së në qarkun e Shkodrës, Elisa Spiropali u shpreh se është shumë e rëndësishme që ndjenja e kontributit qytetar të jetë e para.
“Kemi 18 këshilltarë në bashkinë e Shkodrës. Në këto zgjedhje jemi forcë e parë për herë të parë në këshill dhe në të gjitha njësitë administrative”, tha ajo.
