Burg përjetë financuesit të vrasjes, Altin Hoxhallari organizoi ekzekutimin e Devi Kasmit
Me burg përjetë është dënuar Aurel alias Altin Hoxhallari, i akuzuar si personi që organizoi dhe financoi vrasjen e Devi Kasmit. Por pavarësisht se ai u shpall fajtor për 6 akuza penale, vijon të jetë i lirë, pasi prej vitit 2018 kur është shpallur në kërkim ndërkombëtar, autoritetet s’kanë mundur ta arrestojnë
Njeriu që organizoi dhe financoi vrasjes e Devi Kasmit, Aurel alias Altin Hoxhallari, është dënuar me burgim të përjetshëm.
Vendimi për dënimin kapital të Hoxhallarit është dhënë ditën e sotme nga treshja e gjyqtarëve Irena Gjoka, Flora Hajredinaj dhe Erjon Bani, të cilët gjatë fazës së gjykimit u bindën dhe dënuan Hoxhallarin për 6 vepra penale.
Dënimin më të rëndë Altin Hoxhallari e mori për akuzën e Vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim për qëllime interesi, duke u dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjatë fazës së gjykimit dhe hetimit, Hoxhallari nuk ka qenë prezent, pasi prej vitit 2018 ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ende nuk është mundur të kapet nga policia.
Vrasja e Devi Kasmit, ndodhi mbrëmjen e 29 janarit të 2018 të Tiranë ku ekzekutori u identifikua se ishte shtetasi grek, Efthymiou Efthymious.
Greku kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, vetëm me qëllim kryerjen e vrasjes kundrejt pagesës dhe më pas do largohej sërisht në Greqi.
Efthymious është identifikuar nga policia e Tiranës dhe arrestuar si autori kryesor i vrasjes së Devi Kasmit, duke u dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjithashtu togat e zeza të Apelit të GJKKO-së, dënuan me 33 vite burg të bashkëpandehurin tjetër Elton Halipajn, i cili dyshohet se është personi që i siguroi grekut mjetet për të kryer vrasjen.
Lidhur me këtë ngjarjen u arrestua në shkurt 2018 dhe Malvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Mario Meshini, të gjithë këta persona të dënuar.
Ndërsa u sekuestruan një arsenal luftarak në një banesë e dyshuar si baza e grupit në periferi të Tiranës.
Motivi i këtij krimi vijon të mbetet konfliktet e dy grupeve për trafikun dhe tregtinë e heroinës.
