Asnjë rezultat deri më tani/ Materialet zgjedhore drejt qendrave të numërimit, në disa qytetet festohet
Teksa është mbyllur orari zyrtar i votimit për zgjedhjet lokale, materialet zgjedhore janë duke u dërguar në qendrat e tyre të numërimit.
Akoma nuk ka nisur numërimi i ndonjë kutie votimi deri më tani, ndërsa pritet që procesi të nisë së shpejti me numëruesit.
Ndërkohë, nuk kemi as rezultat e 3 bashkive ku u votua në mënyrë elektronike, edhe pse kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se do të dalin për 30 minuta.
Po ashtu në disa qytete janë parë edhe festime me bori makinash dhe me fishekzjarre për rezultatin që sipas tyre është arritur ditën e sotme.
Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes në votime të qytetarëve në bashkitë e vendit.
Deri në orën 18:00, pjesëmarrja në rang vendi është në 36.39%. Kukësi, Dibra dhe Tirana janë 3 bashkitë me pjesëmarrjen më të madhe në votime.
Në Kukës, pjesëmarrja është në shifrat e 51.96%, në Dibër 43.5% dhe në Tiranë 40.24%. Raportimet për këto shifra janë kryer nga 2662 qendra votimi, nga 5213 në total.
Votues janë 694,836 nga 1,909,641 zgjedhës në listën e qendrave të votimit të raportuara.

