PD: Votoni për të ardhmen tuaj, kemi denoncuar rastet ku PS ka manipuluar procesin e votimit

Në një dalje për mediet, shefja e komunikimit të fushatës së PD, Mirela Karabina u ka bërë apel qytetarëve të votojnë për të ardhmen e tyre.

Ajo tha se gjatë ditës në disa zona të vendit kanë denoncuar rastet kur Partia Socialiste ka kryer veprime që synojnë manipulimin e procesit të votimit si në rastin e Dimalit,

Karabina: Partia Demokratike po ndjek nga afër të gjithë problematikat që po shfaqen me procesin zgjedhor duke inkurajuar qytetarët që të dalin e të votojnë masivisht në këto orë të mbetura në mënyrë që të vendosin me botën e tyre për të ardhmen. PD dënon me forcë çdo përpjekje për të manipuluar apo dëmtuar procesin e votimit. Gjatë ditës në disa zona të vendit kemi denoncuar rastet kur Partia Socialiste ka kryer veprime që synojnë manipulimin e procesit të votimit si në rastin e Dimalit, ku denoncuam kryetaren e bashkisë që po firmos si mjeke ligjore vërtetime për personat me aftësi të kufizuar me qëllim votimin familjar, për të manipuluar votën e qytetarëve.

Po ashtu në bashkinë Finiq në derën e një prej qendrave të votimit po diktohet vota duke intimiduar qytetarët me flet votimit të plotësuara për PS në derën e QV. Gjithashtu janë vërejtur shumë raste të pranisë se personave të pa autorizuar në qendrat e votimit ku është ushtruar presion dhe intimidim ndaj votuesve, dhe mbi të gjitha problematika e pajisjeve të identifikimit elektronik që ka cenuar rëndë procesin e votimit.

Por pavarësisht të gjithë këtyre problematikave ne apelojmë qytetarët shqiptarë me të drejtë vote që të dalin sa më shumë e të votojnë për veten e tyre, të ardhmen e tyre. Përtej klimës së tensionit dhe të parregullsive sipas traditës së politikës së vjetër, këto zgjedhje janë për shqiptarët, të cilët sot me pjesëmarrjen e tyre kanë mundësinë ti japin një leksion të shkuarës dhe të hedhim themelet e të ardhmes. Vetëm duke votuar, marrim të ardhmen tonë në dorë.