Rama: Me portet e reja turistike e tregtare dhe hekurudhën, Durrësi portë kryesore e Adriatikut

Kryeministri i vendit Edi Rama mbylli sot fushatën elektorale në Durrës, ku kërkoi mbështetje për kandidatët e  PS-së për kryetarë në bashkitë e këtij qarku.

Në takimin përmbyllës elektoral, Rama vlerësoi se takimi në Durrës ishte më i madhi dhe më i jashtëzakonshmi.

“Durrsakët nuk janë aq të mitingjeve dhe momenteve përmbyllëse, kur realisht i vihet qershia mbi tortë një fushate elektorale, por jam i bindur 1000% se të gjithë ata që po ndjekin këtë takim nuk po e besojnë dot se po ndodh në Durrës”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se në Durrës kemi fatin të kemi një skuadër të jashtëzakonshme të PS-së, ndërsa vlerësoi edhe kryetarët e bashkive Durrës, Shijak e Krujë, ku, sipas tij, është bërë një punë e jashtëzakonshme.

“Sot ne hyjmë në një fazë tjetër sepse Durrësi, Shijaku e Kruja vërtet janë 3 bashki, por është e domosdoshme të ndërveprojnë më tepër me njëra-tjetrën sepse oferta turistike e tyre e ka të domosdoshme këtë. Kujt do t’i shkonte mendja që edhe Shijaku do hynte në ofertën turistike të qarkut të Durrësit”, tha Rama.

Ndërkaq, Rama shprehu bindjen se nuk ka 1 km katror të Shqipërisë që nuk ka potencial për të zhvilluar turizmin. Rama tha se Durrësi është lokomotiva e transformimit ekonomik të Shqipërisë.

Ai theksoi se me portin e ri turistik, portin e ri tregtar në Porto Romano dhe hekurudhën e re Durrësi bëhet një pikë lidhëse jo vetëm për Shqipërinë po për të gjithë hapësirën e rajonit tonë.