Rama kandidatit Zef Hila: Mos i merr më qafë njerëzit duke shpërndarë para për vota
Kryeministri Edi Rama i bëri apel sot kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila, që të mos tentojë të shpërndajë para për blerjen e votave.
“Mos i merr më qafë njerëzit duke shpërndarë lekë për të blerë vota. E di që nuk bën nga këto punë ti, se e drejta turke nuk i lejon këto, por mos lejo të tjerët ta bëjnë këtë punë, se po kapen shumë. Edhe më parë ishin kapur ca të tjerë, sepse po kapen shumë, edhe këta është e bukura që kur kapen thonë ‘po na vjedhin votat'”, tha Rama në takimin me banorë të Vaut të Dejës, në përmbyllje të fushatës zgjedhore.
Kryeministri Rama u shpreh se, “Zef, është kryer kjo punë. Në 14 maj Kristiani do marrë stafetën nga Marku. Ne nuk vijmë këtu për të thënë hajdeni të gjithë e bëhuni socialistë. Ne kur marrim drejtimin e një bashkie, nuk i ndajmë njerëzit, pyesni në Tropojë, Kamëz, pyesni kudo, për ne nuk ka majtas, djathtas, për ne ka drejt, vetëm përpara, për të majtët dhe të djathtët”.
Rama u shpreh se, “duam të bëjmë më shumë për Vaun e Dejës dhe ky qark ka shumë potencial për turizëm dhe agroturizmin. Në 14 maj ne do të fitojmë për të gjithë”.
Më tej, Rama theksoi se, “më vjen shumë mirë që e gjeta kohën të ndaloja dhe këtu, jo pa qëllim, sepse Vau i Dejës është një bashki, e cila deri në 2019, qysh prej ’92 është drejtuar nga ata të tjerët. Edhe këtu, si në të gjitha bashkitë, ku na u dha mundësia, në Tropojë, Kamëz dhe bashki të tjera, pas shumë e shumë vitesh, ne treguam se si dimë të punojmë dhe si dimë t’i ndryshojmë gjërat, dhe këtu dua t’i bëj një falënderim Markut, një burrë zotni, një sipërmarrës i shkëlqyer, një qytetar i mirë i kësaj zone, i cili për katër vjet qëndroi në krye të punëve këtu dhe shërbeu me përkushtim e dinjitet. Rrezikoi ta bënin edhe kriminel, kur doli dhe Marku, – thashë unë, – bobo po qe dhe ky, i bie që tjetri do dal unë”.
Tani, vijoi Rama, është koha që Marku t’i përkushtohet sipërmarrjes dhe Kristiani të marrë stafetën me mbështetjen tuaj për ta çuar Vaun e Dejës përpara.
Rama tha se “e di që Zef Hila është duke më parë dhe dua t’i drejtoj një mesazh mehrabah Zef, se ti Zef je me universitet në Turqi, megjithëse nuk di asnjë fjalë turqisht. E pashë dhe dëftesën e tij në Turqi, dy gjëra më bënë shumë përshtypje, në histori turke kishte marrë vlerësim shumë të lartë dhe tek e drejta turke kishte marrë vlerësim shumë të lartë. Zefi edhe historian dhe jurist turk, po një fjalë turqisht nuk e di. Ose tërhiqem unë, Zefi të dalë të mbajë një fjalim këtu për gjithë Vaun e Dejës, edhe tërhiqem unë, Natyrisht unë tërhiqem nga mesazhi, por jo nga vota. Di Zefi turqisht, nuk di Zefi turqisht, ai nuk ka çfarë bën më këtu”.
“Zef, më çove fjalë para ca kohësh, doje një pazar të vogël, se kështu e ke zakon ti, deshe një pazar të vogël për të sabotuar unë partinë time, siç ke sabotuar ti partinë tënde. Zefi ishte tek SHQUP-i kur ‘non grata’ sulmonte SHQUP-in. Pastaj doli me ‘non gratën’ jashtë. Është akrobat i madh, edhe pse i shëndoshë nuk bie në tokë, gjithmonë rrotullohet”.
