Rama: Nuk ia kemi kursyer fondet Shkodrës, bëmë rrugë me rëndësi strategjike
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se qeveria nuk ia ka kursyer asnjëherë fondet Shkodrës.
Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale të 14 majit nga Shkodra, Rama foli për punën e Benet Becit në krye të FSHZH-së.
Rama theksoi se Benet Beci e ka pasur ambicie për ta bërë Shkodrën siç kemi bërë Vlorën, Durrësin, Tiranën, Malësinë e Madhe. Sipas tij, “e vërteta është se qeveria nuk ia ka kursyer fondet Shkodrës”.
“Nuk ia kemi kursyer fondet asnjëherë. Për këtë flasin faktet e veprat. Rrugën Shkodër-Velipojë nuk e bëri Beneti me Berishën, por e bëmë ne me Benetin dhe është investim strategjik. Të ndërtosh rrugën Shkodër-Velipojë nuk është thjesht t’i ndërtosh një rrugë bashkisë Shkodër, por t’i ndërtosh një tjetër aks strategjik për ekonominë dhe turizmin”, shtoi Rama.
Po ashtu ai tha se rrugën Shkodër-Theth e bëri kjo qeveri me Benetin.
“Edhe ai ai është një investim shumë i madh. Të dyja këto investime bashkë me rrugën Shëngjin-Velipojë apo anasjelltas që është në ndërtim dhe për të cili ky maska këtu del edhe thotë se unë gënjej. Në fakt edhe dokumentet i nxjerr, njësoj si Berisha që një kitarist të Eagle e nxjerr si Erion Veliaj në Iran, apo dokumentet që nxjerr që Yuri Kim ka blerë prona në Sarandë, ndërkohë që është një burrë nga Ukraina”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se lekët e shpronësimit për rrugën ia ka dhënë qeveria bashkisë Shkodër për të shpronësuar të gjithë pronarët, sepse në kohën e Berishës në Shkodër nuk bëheshin shpronësime.
