Gjyqi mbi vulën e PD, zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit

Gjykata e Apelit Tiranë, me trupë gjykuese të përbërë nga Elona Mihali, Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja, ka zbardhur vendimin e datës 3 mars 2023, mbi konfliktin e drejtimit të Partisë Demokratike, mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt, i cili përfaqëson linjën e Perëndimit dhe të Lulzim Bashës.

Gjykata rrëzoi vendimin e gjyqtarit të shkallës së parë, Agron Zhukri, i cili që më 25 mars të vitit të shkuar, pranoi regjistrimin e statutit të Foltores, logos dhe vulës së grupimit Berisha, duke legjitimuar Sali Berishën në krye të PD-së.

Apeli e ka rrëzuar këtë vendim si të pabazuar, ndërsa ka urdhëruar gjykimin e kësaj çështje nga një tjetër gjyqtar në shkallën e parë.

Deri kur të merret një vendim tjetër, nëse do të ketë një të tillë, në krye të PD-së njihet zyrtarisht Enkelejd Alibeaj, duke e nxjerrë jashtë ligjit Rithemelimin e Berishës.