Premtimet e Bejkos për Tiranën: Zero taksë për bujtinat, subvencionojmë biznesin e vogël artizanal

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko ka prezantuar programin e tij për turizmin në kryeqytet.

Pasi ka akuzuar Erion Veliajn se nuk ka pasur vizion për këtë sektor, ai premtoi heqjen e taksës për bujtinat, por duke shtuar subvencionet për biznesin e vogël artizanal.

“Në bashkinë e Tiranës do të shpallim monument kulture katër zona, zonën e trashëgimisë otomane, atë të paraluftës, zonën e trashëgimisë të socio-realizmit dhe shpalljen muze të ansamblit kulturor qendrën, në bashkëpunim me komunitetin. Asgjë s’do të bëjmë pa komunitetin. Aktualisht turizmi në kryeqytet ka një numër problemesh. Ka konkurrencë të padrejtë në treg, u është dhënë statusi investitor strategjik për 2 mijë shtretër hotelesh me 5 yje, të cilët përfitojnë 6% e TVSH në të gjitha shërbimet dhe shmangia e taksave dhe tatimeve.

Do subvencionojmë biznesin e vogël të artizanatit që po shkon drejt zhdukjes. Për 5 vite do të ketë zero taksë për sipërmarrjet turistike, bujtinat dhe start up-et. Për turizmin detar, e kemi fjalën për bashkëpunimin që duhet të ketë bashkia e Tiranës me operatorë turistikë, për të bërë një hartë të lëvizjes të integruar të qëndrueshme për të gjithë ato operatorë që edhe janë klientë në Tiranë, por edhe kanë biznese të tjerë paralelë turistikë në bregdet”, tha Bejko.

Përmirësimi i transportit publik, por edhe mbrojtja e vlerave autentike ishin pjesë e programit të prezantuar.

“Zgjatje e sezonit turistik përmes diversifikimit të produktit turistik në 3 tipologji: turizëm bregdetar, malor, rural e kulturor; suvencionimi i biznesit të vogël të artizanatit që po shkon drejt zhdukjes; përmirësimi i transportit Publik, në të gjithë hartën e Tiranës; potencimi i një fshati simbol të Tiranës për ta kthyer në origjinë; turizëm gjatë gjithë vitit dhe i shumëllojshëm dhe pesë vite zero taksë ndaj sipërmarrjeve turistike, bujtinave, start-up, etj”, u shpreh ai.

Bejko theksoi se është e rëndësishme që të bashkëpunohet me pronarët por edhe me komunitetin.