Vidhnin me dhunë qytetarët në Durrës, kapet një nga hajdutët, tjetri shpallet në kërkim
Një person është arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim në Durrës pasi grabitën me dhunë tre qytetarë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pasurisë, falë bashkëpunimit me qytetarët të cilët kanë denoncuar vjedhjen e sendeve personale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Seriali", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
- P. C., 38 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi M. H., 26 vjeç, banues në Shkodër.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 2 shtetas, gjatë ditëve të fundit, iu kanë vjedhur me dhunë 3 shtetasve, një varëse floriri, një unazë dhe një celular.
Vijon puna, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
