Tirana bën mrekullinë, kthen finalen 3-2, Besëlidhja dorëzohet në ndeshjen e fundit

Super-Tirana në basketbollin e meshkujve. Bardheblutë shkatërruan Besëlidhjen në finalen e pestë të sezonit 89-64 pasi rikuperuan tre ditë më parë edhe disavantazhin e dy humbjeve rresht në dy finalet e para, për ta mbyllur sot serinë në 3-2.

Skuadra e drejtuar nga Erkand Karaj e bëri diferencën në pjesën e dytë duke dhuruar spektakël, ndërsa në krahun tjetër Besëlidhja u zhduk në fushë dhe ishte inekzistente. I përhershmi Robinson nuk funksionoi dhe Afrim Bilali e skuadra e tij u dorëzuan në finalen e pestë.

Pjesa e parë u mbyll në favor të skuadrës kryeqytetase 41-38 falë formës së shkëlqyer të Davies. Boner në fillimin e së dytës shkëlqeu në parket duke udhëhequr Tiranën me një marsh më shumë, ndërsa Hamati u shpall MVP i finaleve.

Spektakël në shkallët e pallatit të sportit ku rreth 3 mijë spektatorë i dhuruan më shumë ngjyra kësaj finaleje, e 21-ta e fituar nga bardheblutë që në gjysmëfinale kaluan 2-1 Teutën ndërsa rikuperuan disavantazhin e dy humbjeve të para duke triumfuar 3-2.

Ndeshja u ndërpre edhe për disa minuta pas hedhjes së sendeve në fushë por me qetësimin e situatës sfida u mbyll me festë bardheblu dhe lotët lezhjanëve.