Mbi 2200 të ftuar nga 203 vende marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Charles

Në shërbimin në Westminster Abbey të shtunën do të marrin pjesë fitues të çmimit Nobel, përfaqësues fetarë, krerë shtetesh.

Më shumë se 2200 njerëz do të marrin pjesë në kurorëzimin e mbretit Charles, njoftoi sot Buckingham Palace.

Këtu përfshihen përfaqësues ndërkombëtarë nga 203 vende, si dhe punonjës të komunitetit dhe bamirësisë.

Charles, i cili u bë monark i Mbretërisë së Bashkuar dhe 14 vendeve të tjera të Komonuelthit (Kanada, Australia, Zelanda e Re, Xhamajka, Bahamas, Grenada, Papua Guinea e Re, Ishujt Solomon, Tuvalu, Saint Lucia, Saint Vincent dhe Grenadinet, Antigua dhe Barbuda , Belize dhe St. Kitts) pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth në shtator, do të kurorëzohet zyrtarisht më 6 maj në Westminster Abbey në Londër në një ceremoni plot luks, simbolikë dhe rëndësi fetare.

Në shërbimin në Westminster Abbey të shtunën më 6 maj do të marrin pjesë edhe fitues të çmimit Nobel, përfaqësues fetarë, krerët e shteteve dhe ministrat e jashtëm, tha Pallati Mbretëror.

Përveç këtyre të ftuarve, 400 të rinj që përfaqësojnë bamirësi do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit dhe procesionet në Kishën e Shën Margaretës, ngjitur me Abbey.