"Pas 30 vjetësh, sërish emocione"/ Spahia përkujton vizitën historike të Papës në Shkodër
Bardh Spahia, kryetari i bashkisë së Shkodrës, ka përkujtuar sot në 30-vjetorin e saj, vizitën historike të një Pape në Shqipëri, vizitën e Papa Gjon Palit II.
25 prilli i 1993, do të mbetet një datë e shënuar në historinë e Shkodrës dhe Shqipërisë post komuniste, - tha kryebashkiaku i qytetit që u nderua në veçanti me pritjen e Papës.
"Për herë të parë tokën shqiptare e viziton një Papë, Gjon Pali i Dytë, sot shenjt i Kishës Katolike. Papa simbol i rezistencës antikomuniste! Padiskutim që kjo ngjarje dhe ky moment që përjetuam si komb ishte e veçantë dhe mesazh shprese, pasi Ati i Shenjtë jo rastësisht kishte zgjedhur Shkodrën.
Qyteti simbol i persekutimit dhe rezistencës antikomuniste, që e kishte paguar me gjakun e bijve të saj atë qëndresë ndaj regjimit komunist, po merrte bekimet e një Pape.
Sot 30 vite nga ajo ditë, të gjithë ne që ishim pjesë e përjetimit të atij momenti mbushemi sërish me emocione dhe na shërben si motivim për të marrë përgjegjësi historike dhe jetike për kombin tonë duke mos harruar."


