“Dhuna te të rinjtë", Tushi: Familja dhe shkollat të bashkëpunojnë për të pasur qënie humane
Fenomeni i dhunës dhe kriminalitetit minor sa vjen dhe po zgjerohet dhe sipas sociologut, Gëzim Tushi, duhet të merren pasa për minimizimin e këtij fenomeni. Tushi thotë se familja së bashku me institucionet arsimore duhet të bashkëpunojnë së bashku për t’i mësuar fëmijës se si të jetë sa më njerëzor.
Dhuna dhe kriminaliteti minor është një fenomen që po zgjerohet nga dita në ditë ku përfshihen moshat e paraadoleshencës dhe adoleshencës.
Sociologu, Gëzim Tushi, shprehet se arsyet e dhunës vijnë nëpërmjet filmave që të rinjtë shohin, por Tushi nuk lë pas dhe familjen.
"Dhuna që ndjekin përmes filmave është një karburant që i nxit ata të bëhen të dhunshëm. Së dyti ka të bëjë me problemet në familje. Në familjet e dhunshme ku gëlon dhuna midis prindërve, apo midis prindërve dhe fëmijëve edhe ky është një mjet tjetër që ndikon në lidhjen e fëmijëve dhe adoleshentëve me dhunën. Mesa duket ky turbokapitalizmi i sotshëm, kjo jeta e sotme në garë, në konkurencë po i nxit prindërit që të harrojnë se duhet formuar qenia humane, duhen formuar njerëz."
Për t’i mbajtur adoleshentët larg dhunës, Tushi thotë se familja ka rol kyç në edukim, por dhe institucionet arsimore.
"Duhet të kthejnë vëmendjen te ndryshimi i parimeve të prindërimit në familje. Mëkatarët e parë për këta fëmijë agresivë, për këta fëmijë të dhunshëm janë prindërit. E dyta është shkolla. Shkolla ka nevojë të rregullojë parametrat e edukimit human të fëmijëve tanë. Nuk është fjala vetëm të mësojmë fëmijët që dinë shkencat. Ne duhet të mësojmë së pari qytetarë humanistë.
Sipas një raporti nga Instituti i Statistikave për grupmoshën 9-14 vjeç numri i të dyshuarve për vepra penale është 176 ,duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë numri i të miturve të dënuar për dhunë në vitin 2021 ka qenë 120, ndërsa në vitin 2022 numri ka shkuar në 1471.

