Rrugë, në gjysëm/ Banorët ndihen të harruar, investojnë vetë për rrugët e kryeqytetit: Të merren masa!
Banorët në rrugën “Kristaq Mone” ankohen për rrugën që të çon në banesat e tyre. Ndërsa ndihen të harruar, ata thonë se janë detyruar ta shtrojnë vete për shkak se në dimër është e pakalueshme ndërsa në verë bëhet e gjitha me pluhur. Ata kërkojnë më tepër vëmendje ndaj tyre nga pushteti vendor.
Disa lagje në kryeqytet janë me rrugë me gropa e të amortizuara.
Një prej tyre është edhe rruga “Kristaq Mone”, segmenti kryesor është shtruar ndërsa e gjithë lagjja prej vitesh nuk ka parë investime.
Banorët aty tregojnë se në kohë me shi duhet të kenë cizme për shkak të baltës
“Tani është mirë kjo, por kur prishet koha bëhet qamet”, thotë një banor.
“Jo, është mirë tani, se i kanë hedhur dhe pak çakull pasi ishte uji deri në fyt këtu”, tregon banori tjetër.
Teksa thonë se askush nuk është kujtuar për ta, tregojnë se janë detyruar të gjejnë vetë zgjidhje alternative.
“Vetë qytetarët i kanë bërë. Jo bashkia. Ajo asnjëherë nuk ka bërë”, thotë një banore.
“Ka njëri një supermarket atje, dhe makinat me mall nuk i vijnë tek dyqani të shkarkojnë. E shkarkon tek shtëpia mallin pastaj e çon në super-market. Dhe më tepër e shtron ai këtë rrugë” rrëfen banori tjetër.
Ata kërkojnë zgjidhje të shpejtë pasi në verë rruga bëhet e gjitha me pluhur.
“Një thirrje kam unë që të mos shërbejnë kur janë votat, por t’i shërbejnë popullit hap mbas hapi”, thotë banori.
“Bashkia nuk është vetëm tek ndërtesa e saj, pro është dhe në periferi të Tiranës”, thotë banorja.


