Vrau shokun dhe zhduku trupin për 1 orë “Rolex” merret i pandehur Kristjan Cenaj, dosja dërgohet në gjyq

Tetë vite nga vrasja dhe zhdukja e trupit të 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, prokuroria e Kurbinit i ka komunikuar akuzën e “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, autorit të këtij krimi të rëndë, Kristjan Cenaj.

Sipas prokurorisë 16-vjeçari Mariglen Gjonaj, i zhdukur në vitin 2015 në Fushë-Kuqe të Kurbinit, u vra nga Kristjan Cenaj aso kohe 23 vjeç, për ti grabitur orën “ROLEX” dhe varesët e floririt që mbante qafë.

Aktualisht ndaj Cenaj, hetimet kanë përfunduar dhe brenda kësaj jave çështje penale kundër tij, do i kalojë për shqyrtim gjyqësor gjykatës së Lezhës.

Kjo pasi në 1 maj, prokuroria dhe gjykata e Kurbinit me hartën e re Gjyqësore, e humbin juridiksionin e funksionimit, duke u bashkuar me gjykatën e Lezhës.

Gjatë fazës së hetmit, i arrestuari i vetëm për këtë ngjarje, Kristjan Cenaj, nuk ka pranuar autorësinë e vrasjes së 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj. Cenaj, pretendon se ditën e krimit, në 18 Maj 2015, Cenaj, rezulton të ketë dhënë deklarime kontradiktore.

Ai ka pranuar se ka qënë në shoqërinë e 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj, të cilin e kishte lënë vetëm në rrugën e Fushë-Kuqes, pasi i ishte prishur makina e tij personale.

Sipas Cenaj, Gjonaj ka vijuar udhëtimin në këmbë për tu larguar në banesë. Ndërsa Kristjan Cenaj, ka mbetur në mes të rrugës me makinën e tij të prishur.

Por në vijim të dëshmisë së tij, Cenaj ka treguar se ka provuar sërisht për ndezjen e makinës dhe mjeti ishte ndezur, duke sjellë largimin e tij në Mamurras.

“…gjatë rrugës unë nuk e kam parë Mariglen Gjinaj…”,- ka treguar Cenaj, duke shtruar se atë ditë ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka punuar duke mbledhur barin.

Por nga kqyrja e profilit të “Facebook”, ka rezultuar se Kristjan Cenaj, në 18 Maj 2015 ka postuar fotografi në vende të tjera, shumë larg vendit të krimit Fushë-Kuqes dhe zonës ku ai ka shtëpinë në Mamurras.

Cenaj, u arrestua 8 muaj më parë nga prokuroria e Kurbinit, i cili ishte duke tentuar të dilte nga Shqipëria, përmes aeroportit të Rinasit.

Tentativa për tu larguar nga vendi, ka ndodhur vetëm pak orë pas përfundimit të dasmës së vëllait tij.

Për prezencën 24 orëshe në Shqipëri të Kristjan Cenaj, ishte vënë në dijeni dhe policia kriminale e Laçit, e cila bllokoi Cenaj në ambjentet e aeroportit të Rinasit, në tentativë për tu larguar në Itali.

Aktualisht ndaj Cenaj, rëndon akuza e “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, vepër kjo që parashikon një dënim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.